Platforma e PS per Shqiperine Europiane dhe marredheniet nderkombetare

538300_4091706370941_2087335317_n

Ditmir Bushati

Tiranë, më 23 Shkurt 2013

Shekulli i njëzetë ishte shekulli i krijimit të shtetit shqiptar, ndonëse jashtë shtetit mbetën po aq shqiptarë sa edhe brenda. Lindja e Shqipërisë, e përputhur me ndërhyrjen e superfuqisë Amerikane në Europë, siguroi shtetësinë shqiptare. Ideja për ndërtimin e shtetit shqiptar, megjithëse e vonuar, ishte në thelb një ide e inspiruar prej vlerave Europiane. Një ide që popujt e tjerë Europianë kishin konsumuar me sukses para nesh.

 

Për fat të keq, për shqiptarët që mbetën jashtë kufijve, shteti shqiptar nuk arriti të bëhej shembull frymëzimi, pasi për asnjë asnjë çast populi shqiptar brenda kufijve nuk shpëtoi nga vargojtë e autoritarizmit dhe totalitarizmit.

 

Shembja e regjimit komunist dhe ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, në fund të shekullit të njëzetë, zgjuan shpresën për ndërtimin e një shteti demokratik Shqiptar. Dhe në të njëjtën kohë siguruan ekzistencën e Kosovës.

 

Shikuar në prizmin historik, shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe aderimi i Shqipërisë në NATO, përbëjnë dy momente thelbësore të shekullit të ri në procesin e ribashkimit të kombit shqiptar me vendet e zhvilluara demokratike.

 

Ndërkohë, aderimi në Bashkimin Europian, duhet të përbëjë një objektiv kombëtar, në funksion të demokratizimit dhe transformimit të shoqërisë shqiptare, në përputhje me vlerat dhe parimet e Europës së Bashkuar. Për t’i dhënë fund, kësisoj, një tranzicioni të pafund që nuk krijon institucione demokratike, modele zhvillimi të qëndrueshme dhe cilësi jete.

 

Ne socialistët duam të ndërtojmë Shqipërinë Europiane përmes institucioneve demokratike, ekonomisë së tregut funksionale, shoqërisë së dijes, bashkëjetesës demokratike, ku pakicat konsiderohen ura lidhëse e bashkëpunimi ndërmjet kombeve, mirëqenies ekonomike dhe shërbimeve publike, në çdo zonë të atdheut tonë të përbashkët.

 

Shqipëria Europiane për ne s’është slogan, po projekt politik dhe qeverisës i një rëndësie të posaçme gjeostrategjike. Ndaj, refuzojmë një Shqipëri në letër me arnime ligjesh që nuk vlejnë as sa letra mbi të cilën shkruhen. Ne refuzojmë retorikën e helmatisur nacionaliste që tenton të mbulojë dështimet e brendshme dhe shfaqet si kërcënim për stabilitetin demokratik në rajon. Pasi besojmë në rëndësinë themelore që ka procesi i reformave transformuese në përmirësimin e cilësisë se shtetit të së drejtës dhe mirëqenies së qytetarëve. Ne besojmë tek Shqipëria Europiane si model frymëzimi në rajon.

 

Suksesi më i fundit në këtë periudhë të vështirë për procesin e zgjerimit është Kroacia, e cila, përmes një vullneti të hekurt, krijoi gjurmë provash të pakundërshtueshme në luftën kundër korrupsionit, duke dënuar një pjesë të mirë të elitës politike, ushtarake dhe gjyqësore, përmes një procesi të rregullt ligjor.

Ky është një mësim për të gjithë ne, në rrugën e vështirë të shtet-ndërtimit dhe rritjes së besimit të qytetarëve tek drejtësia. Ne progresistët jemi të vendosur të përmbysim “mentalitetin e privilegjeve” e “kulturën e pandëshkueshmërisë” dhe të formësojmë ndjenjën e të konsideruarit të detyrës publike, si përgjegjësi.

 

Qeveria në ikje nuk ka demonstruar vullnet politik, bashkërendim apo pronësi në këtë proces. Aq më pak ka demonstruar aftësi për kompromis politik e reforma që përmirësojnë standardin e jetesës, duke u përqendruar plotësisht në lojën e baltës dhe bishtnimin e përgjegjësive.

 

Qeverisja jonë do të përvijojë një raport të ri me opozitën e pas 23 Qershorit, duke stimuluar kulturën e kompromisit politik dhe prodhuar reforma të prekshme e të qëndrueshme.

Marrja e statusit të vendit kandidat brenda këtij viti dhe fillimi i bisedimeve për anëtarësim në BE, vitin pasardhës, është një objektiv plotësisht i arritshëm.

 

Për ne, çështja e statusit kandidat dhe fillimit të bisedimeve për anëtarësim paraqet një rëndësi të trefishtë, si:

  • çështje e vlerësimit politik, pasi lidhet me kredon politike dhe imazhin e vendit, duke ravijëzuar një perspektive më konkrete për aderimin në BE;
  • çështje e vlerave dhe përkatësisë sonë Europiane, pasi lidhet me modelin e jetës publike që duam të ndërtojmë, e në të njëjtën kohë si sinjal inkurajues për shqiptarët që jetojnë në trojet etnike, se reformat shpërblehen;
  • çështje e agjendës zhvillimore të vendit, e cila do ta zhvendoste “menynë” e BE-së me Shqipërinë në fushat që kanë ndikim të dukshëm në transformimin dhe zhvillimin ekonomik e shoqëror të vendit, mbështetur në ciklin buxhetor të BE-së 2014-2020.

Ne jemi të vendosur për t’i dhënë fund praktikës së dështuar të bashkërendimit të këtij procesi në mënyrë të atrofizuar, periferike e dritëshkurtër, sipas nevojave politike të ditës.

 

Një përfshirje e drejtpërdrejt e Kryeministrit, çka shënon trupëzimin e këtij procesi dhe instrumenteve financiarë të tij në agjendën zhvillimore të vendit, shoqëruar me vendosjen e shërbimit diplomatik në pararojë, e jo bisht të procesit, janë dy elementë të domosdoshëm për t’ia dalë mban.

 

Ne kemi të gjithë vullnetin e nevojshëm për ta kombinuar këtë përfshirje politike në proces me fuqizimin e kapaciteteve administrative dhe reformimin tërësor të shërbimit diplomatik, në përputhje me këtë prioritet kombëtar. Njëkohësisht, do të krijojmë fondin e posaçëm për administratorët e rinj Europian, pasi jemi të vendosur të ndërtojmë një shërbim publik Europian, duke u ndarë një herë e mirë nga sëmundjet e partisë-shtet, nepotizmit e konfliktit të interesit.

 

Shqipëria Europiane është projekti ynë i dinjitetit në marrëdhëniet ndërkombëtare, i konsolidimit dhe qëndrueshmërisë së partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kontributit për fqinjësi të mirë, e stabilitet demokratik në rajon.

 

Shqipëria Europiane është projekti i vetëm i thellimit të kursit të politikës konstruktive në rajon. Është projekti i ndërtimit të partneritetit shumëplanësh me shtetin e ri të Kosovës, i nevojshëm në rrafshin diplomatik, i detyrueshëm në rrafshin kombëtar dhe i domosdoshëm në rrafshin strategjik.

Projekti ynë i Shqipërisë Europiane nënkupton cilësinë e komunikimit të lirë të shqiptarëve në Ballkan, duke respektuar tërësinë territoriale të shteteve ku jetojnë shqiptarët autoktonë dhe funksionalitetin e plotë të shteteve.

 

Projekti ynë i Shqipërisë Europiane vlerëson të domosdoshëm realizimin e një strategjie të re për një bashkëpunim sa më të frytshëm rajonal, që do të mundësonte përfitime nga projektet e përbashkëta në fushën e transportit, energjisë dhe infrastrukturës të mbështetur nga BE.

Bashkëpunimi rajonal i pa mbështetur nga projekte strategjike për rimëkëmbjen ekonomike dhe lidhjen e rajonit tonë me Europën, është joefektiv. Ndaj, projekti ynë i Shqipërisë Europiane e konsideron ekonominë si forcën shtytëse të intensifikimit të kontakteve njerëzore dhe bashkëpunimit rajonal, duke u përqendruar në përcaktimin e sektorëve ekonomik me avantazh të krahasuar të tilla si bujqësia, industria e drurit, tekstileve apo metaleve, që mund të përfitojnë nga incentivat e BE-së.

 

Projekti ynë i Shqipërisë Europiane nuk mund të realizohet pa mbështetjen dhe angazhimin e shqiptarëve që jetojnë apo studiojnë jashtë shtetit, duke përfshirë të drejtën për të votuar në distancë. Ne do të lehtësojmë dhe nxisim veprimtarinë e tyre kudo në botë përmes krijimit të qendrave të promovimit të kulturës shqiptare dhe shërbimeve të posaçme konsullore. Ne do t’i japim jetë gjithashtu politikave që synojnë kthimin në Shqipëri të talenteve, për të përdorur kapitalin njerëzor e financiar në funksion të zhvillimit të atdheut tonë të përbashkët.

Ja pse projekti i Shqipërisë Europiane është në të vërtetë projekti qeverisës i një Rilindjeje Shqiptare.

 

 



Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet.

Ju lutem shkruani emrin

Ju lutem plotësoni emailin

Ju lutem shkruani mesazhin

TË REJAT E FUNDIT

Lexo të gjitha